Mbi 720 mijë euro kanë kaluar nga llogaritë e Telekomit në atë të “Z-Mobile”, të premten. Shuma e transferuar ka shmangur bllokimin e llogarive dhe është vetëm një nga këstet e borxhit prej afro 17 milionë eurosh që ndërmarrja publike i detyrohet operatorit virtual të telefonisë mobile.
Kryerjen e pagesës e ka konfirmuar për KTV-në ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Zeqir Kiqina, por se, sipas tij, shkaku i kësaj pagese nuk kanë arritur që të paguajnë një pjesë të pagave për punëtorët.
“Po, të premten është bërë, megjithëse pa rroga jemi gjysma e punëtorëve, por është dashur që të bëjmë pagesën për shkak se mund të ketë bllokim të llogarive. Ne kemi qenë në bisedime me ‘Z-Mobile’ që për 5 vjet të bëhet riprogramimi i borxhit, por kur ka garantuar Qeveria për dy vjet ka thënë që neve të na jep një kredi për investime kapitale, por kjo nuk ka ndodhur ende”, ka theksuar Kiqina.
Megjithatë, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë konfirmuar se në fund të muajit të kaluar kanë bërë një pagesë prej afro 540 mijë eurosh.
“Më datë 23.12.2020 Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, duke u bazuar në marrëveshjen me ndërmarrjen publike ‘Telekomi i Kosovës’ Sh.A. bazuar në Ligjin e buxhetit për kategorinë e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’, ka transferuar mjetet financiare në vlerë prej 290,358 mijë euro për projekte kapitale, si dhe për subvencione janë transferuar mjete në vlerë prej 249,148 mijë euro sipas kërkesës së ndërmarrjes publike ‘Telekomit të Kosovës’ Sh.A”, thuhet në përgjigjen e MEA-së.
Pranimin e kësaj shume e ka konfirmuar edhe Kiqina, por, sipas tij, kjo është e pamjaftueshme dhe se janë në pritje të mbështetjes me kredi ashtu siç u është premtuar.
Por kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se nuk do të lejojnë që me paga të punëtorëve të paguhet borxhi ndaj “Z-Mobile” dhe se këtë duhet ta marrë përsipër Qeveria.
“Pa marrë parasysh që jemi në kohë fushate, përgjigjen do ta marrin në rrugë, pasi me mjete të punëtorëve nuk do të paguhet hajnia e njerëzve të Qeverisë dhe bordeve e menaxhmentëve që e kanë shkatërruar Telekomin e Kosovës. E aq më pak është e çuditshme se si e pranon një borxh kur njerëzit brenda ndërmarrjes i kanë me letra dëmet që janë shkaktuar dhe Qeveria, nuk ka fuqi, nuk dëshiron, apo njerëz të caktuar janë të lidhur me krimin e organizuar dhe do të zhvasin Telekomin”, ka theksuar ai.
Qeveria në detyrë në kuadër të rimëkëmbjes ka aprovuar masën që parasheh 21 milionë euro për ndërmarrjet publike, të financuar nga kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale të financuar nga BERZH-i, në momentin e pranimit të tyre.
Marrëveshja e arritur në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar mes “Z-Mobile” dhe Telekomit parashihej që borxhi prej mbi 17 milionë eurosh të paguhej në afat prej 24 muajve. Por Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit si garantuese e marrëveshjes, kishte nënshkruar memorandumin për subvencionim të projekteve kapitale dhe shpenzimeve operative të ndërmarrjes.
Telekomit i ishin bllokuar llogaritë më 26 tetor shkaku i borxhit ndaj “Z-Mobile”. Gjatë diskutimeve ishte zbritur shuma e borxhit që ishte shumë më lartë se 17.2 milionë, për shkak se edhe “Z-Mobile” kishte disa obligime financiare ndaj Telekomit.