Hoti: Agjencia e Kosovës për Forenzikë model për rajonin

Kryeministri në detyrë i Avdullah Hoti, në përurimin e aneks-objektit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, tha se kjo Agjenci mbetet model për shtetet e rajonit.
Ai nënvizoi se kompletimi i infrastrukturës së nevojshme për këtë Agjenci, përcakton në masë të madhe efikasitetin e punës së Policisë dhe zgjidhjen e rasteve të ndryshme.

“Përgëzoj stafin dhe drejtorin që pa zhurmë i kanë kryer të gjitha këto aktivitete dhe punë, gjatë gjithë kësaj kohe. Më lejoni që edhe në emër të Qeverisë dhe Ministrit, të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë ndihmuar në ngritjen e kësaj Agjencie që nga fillimi, që është agjenci model në regjion dhe më gjerë”, tha kryeministri në detyrë Hoti.

Ai nënvizoi se pa ndihmën e partnerëve do të ishte e pamundur që të ndërtohet një institucion kaq i respektueshëm.

“Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më kredibile në sytë e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe unë besoj që në masë të madhe këtë kontribut në efikasitetin e punës së Policisë e jep kjo Agjenci”, vlerësoi Hoti.

Duke ju uruar suksese në punë, kryeministri në detyrë Hoti u shpreh i bindur se do të vazhdohet bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë edhe do të rritet efikasiteti i punës së Policisë.

Kryeministri në detyrë Hoti në këtë ngjarje shoqërohej edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.