Sot është dita e fundit për subjektet politike që të dorëzojnë listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë, të cilët pas çertifikimit do të mund të garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Deri më tani vetëm 10 subjekte politike me gjithsej 210 kandidatë, kryesisht nga radhët e komuniteteve, kanë dorëzuar në KQZ aplikimin për çertifikim për pjesëmarrje në zgjedhje si dhe listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku konstatohet se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në 3 vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet, KQZ-ja ka bërë të ditur se do t’i dërgojë listat me emrat e të gjithë kandidatëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK).
Gjithashtu, listat me emrat e kandidatëve për deputetë do t’iu dërgohen edhe në 5 institucione tjera përveç KGjK-së, pra në Ministri të Punëve të Brendshme, Ministri të Punëve të Jashtme, Ministri të Mbrojtjes, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.