A do të lejohet të kandidojë në zgjedhje? Zbulohet data kur do të vendoset fati i Albin Kurtit

Qeveria e Avdulla Hotit u rrëzua nga vota e pavlefshme e një deputeti, Etem Arifi i cili ishte dënuar më parë me 1.3 vite burg për mashtrim me subvencionet.

Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese pak javë më parë, jo vetëm që rrëzoi qeverinë Hoti, por duket se po vendos edhe fatin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese çdo person që në 3 vitet e fundit është dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vite burgim, atëherë nuk lejohet që të kandidojë.

I NGJAJSHËM

KURTI PREZANTON PRURJEN E RE NË LISTËN E VETËVENDOSJES

Kjo sipas të gjitha gjasave do të penalizojë Albin Kurtin, pasi ish-kryeministri së bashku me deputetë të tjerë, Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun u dënuan në 2018 për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Kurti u dënua me 1.6 vite në 2018 dhe me këtë gjykim nuk i lejohet kandidimi deri në shtator të 2021 duke e përjashtuar nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

E ndërsa nga Vetëvendosja janë të qartë dhe të prerë për faktin që Kurti do të jetë në krye të listës për zgjedhjet e ardhshme, në 14 shkurt të këtij viti, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka në një intervistë për emisionin “Ballkan” në “ABC” deklaroi se vendimi mbi fatin e ish-kryeministrit do të merret në datë 22 janar.

“Diku rreth datës 22 do të dalim me vendim dhe natyrisht është e mundur të apelohet në instanca të tjera. Vendimi do të merret në mënyrë kolegjiale”, tha Daka.