Ish-deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, nuk do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Pas mosmarrëveshjeve që kishte me partinë e saj, Kadaj-Bujupi ka thënë se ka vendosur që mos të ndryshojë bindjet e saj dhe të tërhiqet nga gara.
“Angazhimin politik përherë e kam parë në funksion të së mirës së përgjithshme, rritjes së barazisë së qytetarëve, dhe krijimit të një hapësire të re për gruan në sferën publike. Secila përpjekje imja është menduar në këtë drejtim. Si deputete përmes diskutimeve e propozimeve institucionale e legjislative; në rrugë përmes protestës të përbashkëta. Ky rrugëtim politik sigurisht se i ka pasur lëshimet e veta. Por edhe mos suksesin. Por me rëndësi është që, përkundër rrjedhës, ka pasur kohëra të rëndësishme arritjesh e momente të kujtueshme të përmbushjes”.
“Duke e parë që hapësira politike sot po ndryshon dhe duke mos e gjetur shprehjen e organizuar e kolektive për bindjet e mia, unë kam vendosur që në këtë proces zgjedhor të mos garoj. E gjetur mes dy mundësish: të garoj për vete duke bërë kompromis me bindjet e mia, ose te mos marrë pjesë në garë duke bërë kompromis me interesin vetanak, kam zgjedhur të dytën. Më e rëndësishme është t’u mbetem besnike bindjeve të mia, të cilat mund të gjejnë shprehje politike në të ardhmen, se sa të heq dorë nga ato e ta depolitizojë rolin e përfaqësueses”.
“Dua t’i falendeoj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar. Dua t’i falënderoj të gjithë kolegët për sjelljet e tyre kolegiale. Veçanërsisht dua t’i falënderoj të gjithë mbështetësit e mi, ata që më ndoqën, ata që më votuan, ata që më besuan mua e ma besuan përfaqësimin e tyre në Kuvend, ata që janë meritorët kryesorë për sukseset elektorale të miat dhe që ma mundësuan këtë përvojë të jashtëzakonshme në politikë”.
Kadaj-Bujupi në fund paralajmëroi për një lloj kthimi në politikë, por pa dhënë detaje.
“Ne do të shihemi prapë. Deri atëherë faleminderit”.