Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë dorëzuar rezolutën, në të cilën kanë përfshirë vetëm nenin për shkarkimin e presidentit Donald Trump me akuzën për “nxitje të kryengritjes” për rolin e tij në sulmin e javës së kaluar kundër Kongresit.
Në rezolutë thuhet se adresimi i tij para turmës së mbështetësve pak para mësymjes, përbën sulm dhe thuhet se deklaratat e tij “inkurajuan dhe rezultuan” me aksione të paligjshme të parashikuar në Capitol.
Ekipi i Nancy Pelosit kërkon që nëpërmjet rezolutës t’iu bëhet thirrje zëvendëspresidentit Mike Pence dhe zyrtarëve të kabinetit që të aktivizojnë amendamentin e 25-të për shkarkimin e presidentit. Draftligji prej katër faqesh bazohet në deklaratat e rrejshme të vetë Trumpit lidhur me humbjen e tij në zgjedhje nga demokrati Joe Biden; presioni i tij mbi zyrtarët e shtetit të Gjorgjias për të gjetur më shumë vota në favor të tij; dhe tubimit të tij para Shtëpisë së Bardhë para marrjes së kontrollit të Capitolit, ku i kishte nxitur mijëra mbështetës të luftonin deri në fund.
Në legjislacionin e propozuar thuhet se Trumpi ka rrezikuar rëndë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të institucioneve qeveritare. Aty thuhet gjithashtu se Trumpi kërcënoi integritetin e sistemit demokratik, ndërhyri në bartjen paqësore të pushtetit dhe tradhtoi besimin.
Propozuesit vlerësojnë se “Trumpi do të vazhdojë të mbetet kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën nëse lejohet në pushtet”. Jim McGovern, kryetar i Komisionit për Rregulla në Dhomën e Përfaqësuesve, ka deklaruar për televizionin CNN se demokratët presin që të mërkurën të votohet shkarkimi i presidentit republikan. Ai është i bindur se shumica do ta votojë kërkesën demokrate kundër Trumpit.