Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kanë punuar gjatë tërë ditës për menaxhimin e situatës të shkaktuar si pasojë vërshimeve nga reshjet e shiut.
Ai njoftoi se ka krijuar grupin punues ndërinstitucional për menaxhimin e situatës që pos institucioneve të Komunës, është përfshirë edhe KRU “Hidromorava”, zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe FSK.
“Gjatë intervenimeve të ekipeve tona, janë evakuuar 18 qytetarë, që nënkupton se kemi shpëtuar jetën e qytetarëve. Gjendja më e rënduar është në Lagjen e Rrushnajave, 2 Korriku, pjesa përskaj kazermës se FSK, në fshatin Malishevë e Uglar”, ka thënë Haziri.
Haziri tha se fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, pos dëmet materiale, të cilat pohoi se janë të konsiderueshme dhe po punohet në vlerësim të situatës.