Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen më 14 shkurt

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen të dielën e 14 shkurtit.

”Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 14 shkurt”, thonë burime të Gazeta Blic.

Ky vendim i Osmanit vjen pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, i cili u bë sot.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për rrëzimin e Qeverisë Hoti, do të caktohet data e zgjedhjeve të reja.

Sic i ka thënë një burim gazetës, ato do të mbahen me 14 shkurt.

Pritet konfirmimi i datës së zgjedhjeve nga u.d. e presidentit, Vjosa Osmani, ashtu siç parashihet në Kushtetutë.

Vendimi i gjykatës kushtetuese për rrëzimin e qeverisë hoti u publikua sot, në këtë vendim thuhet se zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më larg se 40 ditë pas publikimit të këtij vendimi.

Ky vendim thotë:

Gjykata rikujton që Qeveria e votuar përmes Vendimit nr. 07/V-014 të Kuvendit, të 3 qershorit 2020, është bazuar në Dekretin e Presidentit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të nxjerrë bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, përkatësisht në tentativën e dytë për zgjedhjen e Qeverisë. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton interpretimin e dhënë në Aktgjykimin KO72/20 ku kishte theksuar se “zgjedhjet do të jenë të pa evitueshme në rast të dështimit të zgjedhjes së Qeverisë edhe në tentativën e dytë, […] me ç’rast, bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, Presidenti shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Në dritën e kësaj, Gjykata thekson se në rastin konkret vihet në lëvizje paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.