Po afron koha e zgjedhjeve e partitë politike po diskutojnë me njëra tjetrën për të lidhur koalicion parazgjedhor.
Deri më tani një marrëveshje gati se është arritur në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re.
Në një intervistë për lajmi.net, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kanë bisedime me AKR-në e Behgjet Pacollit për koalicion, por nuk ka thënë se nuk ka diçka finale.
“Ne kemi pasur përkrahjen e AKR-së edhe gjatë qeverisë Hoti dhe kemi pasur votën e tyre, gjithashtu kemi përafrime të qëndrime”, ka thënë ai.
Por se a përjashtohet Vetëvendosje nga LDK-ja për një koalicion pas-zgjedhor.
“Kemi marr mend. Përvoja që ne e kemi kaluar se vënia e përjashtimeve ose vëna e vijave të kuqe për subjektet politike nuk është kurrë e shëndoshë”, tha Mustafa duke thënë se partitë që po pretendojnë të kenë shumicën në kuvend e kanë të pamundur. “Çdo njëri që pretendon që mund të ketë gjysmën e deputetëve në Kuvend ai duhet të merr 60 për qind jo 50 për qind sepse 10 për qind i takon komuniteteve dhe këtë nuk mund ta bëjë asnjë parti shqiptare.
Jemi të hapur si LDK. Nuk do të vëmë kufij për askënd ose nuk do të bëjmë përjashtime për asnjë subjekt, por fakti që nuk do të bëjmë përjashtime nuk do të thotë se jemi të gatshëm për koalicion sepse duhet të shohim se a ka mundësi të komunikimit, a ka korrektësi, a ka parime të partneritetit, të cilat mund të ja zgjasin mandatin qeverisë.