Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Mitaraj, ka thënë se me aktgjykimin e sotëm të plotë të Gjykatës Kushtetuese, u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë, të kandidojnë për postin e deputetit. Me këtë vendim, sipas tij, preket edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, të cilit Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018. Pra, ende nuk kanë kaluar 3 vjet.
Miftaraj tha se aktgjykimi i sotëm vetëm sa ka konfirmuar atë që ka thënë Kushtetuesja në vendimin e parë për këtë rast, më 21 dhjetor.
“Me këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në vendim e parë, se të gjithë të dënuarit në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”, ka thënë Miftaraj.
Ky aktgjykim i Kushtetueses, vjen si rezultat e kërkesës së VV-së për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, i cili mundësoi ngritjen e Qeverisë Hoti.
Gjykata Kushtetuese publikon vendimin e plotë, nga sot vendi mund të shkojë në zgjedhje
Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e Arifit, kësisoj edhe rrëzoi Qeverinë Hoti dhe obligoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet.
Arifi ishte i dënuar me burgim efektiv prej 1 vjet e 3 muaj në kohën kur kandidoi dhe fitoi në zgjedhjet e 6 nëntorit 2019. Ai është dënuar për “mashtrim me subvencione”, por kjo nuk e kishte penguar të gjendej në listat zgjedhore.
Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu 40 ditë nga dita kur ato i shpall Osmani.