Një video e publikuar mbrëmë shfaqi haptazi momentin kur një burrë po godiste bashkëshorten e tij në dalje të Emergjencës së Klinikës Universitare të Kosovës.
I njëjti shihej duke e goditur gruan me dorë prapa kokës, anipse ajo ishte e sëmurë dhe nga QKUK do të duhej të dilte me ndihmën e karrocës.
Por pas publikimit të video-incizimit, Policia e Kosovës ka arritur ta identifikojë burrin në fjalë.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Referuar pamjeve në fjalë, policia menjëherë në përputhje me autorizimet e saj ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes si dhe hetimit të rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha ajo.
Gjithashtu u theksua se në kontekstin e kësaj, menjëherë janë identifikuar palët, si dhe është procedurat intervistimi i të njëjtëve.
“Janë koordinuar veprimet e mëtejme me prokurorin e shtetit, për të nxjerrë në pah nëse ka elemente të veprës së inkriminuar”.