Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nuk ka vendosur akoma, të paktën jo zyrtarisht, për kreun e ardhshëm të Inteligjencës Kosovare.
Ndonëse Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i ka dërguar asaj një propozim qysh të enjten e kaluar, dhjetë ditë pune pasi bashkërisht e shkarkuan Kreshnik Gashin nga shefi i AKI-së, nuk ka ende miratim nga presidentja në detyrë, njofton Klan Kosova.
Dy liderët kanë kohë deri më 14 janar ta zgjedhin kryespiunin e ardhshëm kosovar, por sipas Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Fatmir Xhelili, është më mirë të shkelen afatet ligjore se sa të emërohet shefi i AKI-së nga liderë që janë ushtrues detyre.
Xhelili vlerëson se duhet pritur të zgjedhjet, Qeveria e re dhe Presidenti i ri nga Kuvendi në mënyrë që të plotësohen edhe kushtet morale për të zgjedhur drejtuesin e institucionit më të ndjeshëm.
Deri tani të gjithë shefat e Inteligjencës janë emëruar brenda afateve ligjore.
Kreshnik Gashi e pasoi Shpend Maxhunin 13 ditë pune pas dorëheqjes së tij.
Maxhuni ndërkaq erdhi në pozitën e kryespiunit 15 ditë pune pasi ishte shkarkuar Driton Gashi.
Ky i fundit që ia përfunduan mandatin pas deportimit të gjashtë shtetasve turq u zgjodh shef i AKI-së shtatë ditë pasi këtë pozitë e la të lirë Agron Selimaj, që ishte emëruar dhjetë ditë pune pas dorëheqjes së Bashkim Smakaj.