Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në një konferencë për media sot ka publikuar treguesit makroekonomikë dhe socialë gjatë vitit 2020 dhe krahasimet me vitin 2019.
Zëvendëskryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Ilir Berisha, tha se ekonomia e Kosovës në periudhën janar-shtator 2020 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019 shënoi rënie reale 5.6 për qind, teksa shkalla mesatare e inflacionit për periudhën 11 mujore 2020 me periudhën e njëjtë 2019 ishte 0.2 për qind.
“Eksportet e mallrave janë rritur 20 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, importet kanë pasur rënie me 7 për qind. Bilanci tregtar ka vazhduar të jetë negativ, por i përmirësuar me 10.4 për qind dhe mbulimi i importit me eksport është rritur nga 11 në 15 për qind me një normë të rritjes 29 për qind”, tha ai.
Çmimet e prodhimit gjatë periudhës 11 mujore 2020 pësuan rënie mesatarisht 0.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, derisa ato të importit pësuan rënie për periudhën 9-mujore 2020 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 me 2.2 për qind.
Rënie u shënua edhe te çmimet e kostos së ndërtimit për periudhën 9-mujore në një mesatare prej 0.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë 2019.
Prodhimi i energjisë ndërkaq shënoi rritje 12.8 për qind, konsumi në amvisëri 6.6 për qind, por rënie u shënua te konsumi në industri me 13 për qind dhe konsumi në afarizëm me 10.9 për qind.
Në 9-muajt e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, numri i fluturimeve ajrore shënoi rënie 58.6 për qind, numri i udhëtarëve me transport ajror 60.6 për qind, sasia e mallrave të transportuara në ton 36.2 për qind, ndërsa numri i udhëtarëve me transport hekurudhor shënoi rënie 51.2 për qind.
Edhe te numri i vizitorëve në hotele, gjatë periudhës 9- mujore 2020 krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, pati rënie me 47.5%, numri i net-qëndrimeve 56.9 për qind, dhe po ashtu rënie u regjistrua edhe te numri i ndërmarrjeve të regjistruara prej 6.7 për qind.
Sipas statistikave vitale, të dhënat për periudhën 9-mujore 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019 janë: numri i lindjeve shënoi rënie 23.2 për qind, numri i vdekjeve shënoi rritje 9.5 për qind, kurorëzimet dhe shkurorëzimet shënuan rënie me 31.4 për qind, përkatësisht 73.6 për qind.
Ndryshe, në konferencë u bë e ditur se ASK ka punuar me intensitet të shtuar për përgatitjet e regjistrimit të popullsisë për vitin e ardhshëm në Kosovë.