Qeveria miraton Planin e Punës për vitin 2021

Në mbledhjen e 53-të të Qeverisë Hoti është miratuar Plani i Punës për Qeverinë për vitin 2021 dhe Plani Indikativ i Punës për vitet 2022 dhe 2023. Bashkë me planin, u miratua edhe Programi Legjislativ dhe plani i dokumenteve strategjike për vitin 2021.

Qeveria ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur të mërkurën në mëngjes është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për Përdorimin e Njësive Matëse Ligjore. “ Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohen njësitë matëse ligjore që përdoren në Republikën e Kosovës. Gjithashtu rregullohet mënyra e përdorimit të tyre, madhësia, emërtimi dhe simbolet e këtyre njësive matëse. Udhëzimi Administrativ zbatohet për mjetet matëse të përdorura, matjet e bëra dhe treguesit e sasisë të shprehura në njësi matëse”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka shtyrë afatin e paraparë për paraqitjen e analizës/studimit nga Grupi punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, deri më 15 prill 2021.

Është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga Presidenti dhënien e autorizimit për ministrin e Drejtësisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile me Maqedoninë e Veriut.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ridestinim të mjeteve të pashpenzuara nga lista e projekteve kapitale në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në vlerë prej 17.4 milionë eurosh për të rimbursuar shpenzimet nga programi i rimëkëmbjes ekonomike.

Po ashtu një milionë euro janë ndarë për Agjencionin për Shërbimet e Navigimit Ajror, “për mbulimin e deficitit të shkaktuar nga mjetet e pa mjaftueshme të mbledhura nga te hyrat e dedikuara si burime të financimit të buxhetit, të financuara përkohësisht nga granti qeveritar”.

Të hënën e shkuar, Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Me t’u publikuar aktgjykimi pritet që vendi të shkojë në zgjedhje të reja e Qeveria Hoti të mbetet qeveri në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.