Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se tashmë e kanë funksionalizuar Shtabin Zgjedhor të LDK-së në Gjilan për zgjedhjet e parakohshme nacionale.
Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se vetë do t’i prijë “Shtabit drejt fitores së madhe për Gjilanin dhe Republikën”.
Në këtë mënyrë, Haziri ka treguar se nuk do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër në listën zgjedhore të këtij subjekti politik.
“Sonte, bashkë me strukturat e LDK’së në Gjilan, kryesinë, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, mbajtëm takimin mobilizues për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare”, ka shkruar HaZiri, transmeton Telegrafi.
“Afro 1000 veprimtarë dhe veprimtare janë aktivizuar, kanë nisur angazhimin në terren dhe po punojnë me entuziazëm të paparë”.
“Prej sonte, e kemi funksionalizuar Shtabin Zgjedhor, të cilit do t’i prijë me kënaqësi drejt fitores së madhe për Gjilanin e Republikën”, ka shkruar ai.
“Lista për deputetë do të jetë reprezentative dhe me integritet të lartë njerëzor e profesional. Bashkë do t’i zgjedhim njerëzit më të mirë të Gjilanit. LDK është e madhe. Urime zgjedhjet!”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka caktuar kandidatin e saj për kryeministër që do t’i prijë listës së këtij subjekti politik në zgjedhjet e parakohshme nacionale në Kosovë.
Ndryshe, emri i Lutfi Hzirit është përmendur si një nga kandidatët e mundshëm për kryeministër nga LDK.