PDK-së i bashkohen 16 studentë Hoxhaj: Kemi platformë për studentë dhe ngritje të cilësisë së arsimit

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidat për Kryeministër të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hoxhaj, sot ka pritur  në selinë e partisë një grup studentësh të dalluar të drejtimeve të ndryshme.

Kandidati për Kryeministër, Enver Hoxhaj e mirëpriti ardhjen e 16 studentëve ekselentë të të gjitha fushave në PDK, duke theksuar se Partia Demokratike i ka gjithmonë dyert e hapura për të rinjtë.

“Është kënaqësi e madhe të bashkëbisedojmë dhe të shkëmbejmë ide për të ardhmen e vendit. Partia Demokratike gjithmonë i ka pasur prioritet kërkesat dhe nevojat e studentëve, nga lirimi i pagesave e deri të hapja e universiteteve të reja nëpër qytetet e mëdha”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi se PDK-ja në programin e saj ka përgatitur një pako të veçantë për ofrimin e kushteve me të mira për studentët, gjë që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.”Në shërbim të këtij vizioni, Partia Demokratike e Kosovës ka përgatitur edhe një pako të veçantë që lidhet direkt me përmirësimin e kushteve për studentët kosovarë dhe ngritjen e cilësisë së arsimit. Ne mbetemi platforma më e mirë politike në vend për të gjithë studentët të cilët dëshirojnë të marrin përgjegjësi në zhvillimin e Kosovës”, përfundoi Hoxhaj.