Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se projektbuxheti trajton dy prioritete kryesore që janë përballja me sukses për pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje.
“Edhe pse në kushte të vështira për të parashikuar atë që do të ndodhë pasi pasojat e pandemisë po vazhdojnë, jemi munduar që të japim disa shifra të përafërta për të paraparë se cila do të jetë rritja. Pas një rënie që kemi vlerësuar se do të jetë 6.7 për qind, në vitin 2021 kemi paraparë rritje ekonomike prej 5.2 për qind”, ka theksuar ajo.
Sa i përket buxhetit në infrastrukturë ajo ka thënë se buxheti i investimeve kapitale vit pas viti paraqitet në këtë Kuvend po thuajse i kontraktuar.
“I kemi vetëm 5.4 milionë investime të reja kapitale nga granti qeveritar dhe janë vetëm 5 milionë sipas klauzolës së investimeve. Ju e dini se projektet kapitale janë afatgjata dhe obligime që duhet të përcillen nga viti në vit”, ka theksuar ajo.