Hoxhaj me pako për diasporën: 3 vende të rezervuara në listën për deputetë dhe rikthimin e Ministrisë së Diasporës

Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka prezantuar pakon qeverisëse të diasporën, e cila përmban propozime konkrete.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se PDK-ja do të ketë në listën e saj 3 kandidatë për deputetë, që janë personalitete të vecanta në fushën e ndërmarrësisë dhe profesioneve të tjera.

Po ashtu, ai ka propozuar kthimin e ministrisë së Diasporës me ta marrë qeverinë e ardhshme në udhëheqje.

“Partia Demokratike do të inkuadrojë për herë të parë në listën e saj për deputetë 3 personalitete të fuqishme intelektuale, profesionale dhe në fushën e ndërmarrësisë që vijnë nga diaspora si dhe do të rikthejë Ministrinë e Diasporës, ku edhe ministri do të jetë nga diaspora.”, ka thënë Hoxhaj.

Deputeti, anëtari i kryesisë dhe udhëheqësi i Departamentit për Diasporë,  Elmi Reqica, ka thënë se PDK-ja po rikthehet fuqimisht në diasporë.

“Sot e kemi shpallur si ditë të diasporës me qëllimin që të jemi sa më afër tyre. Tash kemi nisur një riorganizim të jashtëzakonshëm dhe po kthehemi fuqishëm në diasporë. E kemi nisur më Zvicrën, tani do ta kemi themelimin e degës në Gjermani dhe se shpejti do të jemi në SHBA dhe Kanada.”, ka thënë Reqica.

Kjo është deklarata e plotë e kryetarit Enver Hoxhaj:

Ju uroj të gjithë juve mirëseardhje në vendlindje, pranë familjeve tuaja, pranë prindërve, vëllezërve, motrave, fëmijëve dhe miqve tuaj!

Duke bashkëndjerë me juve për shqetësimet dhe mundimet që iu ka sjellur rruga e gjatë dhe kalvari i kalimit nëpër pika kufitare, vlerësoj se shteti i Kosovës duhet të bëjë më shumë për ta lehtësuar ardhjen tuaj në Kosovë.

Ju jeni infuzioni i ekonomisë së Kosovës. Ju jeni mbështetësja jonë kryesore në kohë të vështira. Ju jeni gazmendi i familjeve kosovare në kohë të vështira. Para së gjithash, ju jeni ajo pjesë e kombit që sa më larg të jeni, më afër atdheut ndjeheni.

Këto ditë, ju po i jepni infuzion ekonomisë së Kosovës dhe po e forconi edhe më shumë pakon për rimëkëmbje që u votua me mbështetjen e PDK-së.

Edhe historia e Partisë Demokratike lidhet pashmangshmërisht me diasporën.

Ne kemi qenë dhe do të jemi afër tyre. Prandaj, në prag të këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ne kemi vizionin më të qartë dhe me veprime konkrete për ta afruar edhe më shumë mërgatën me Kosovën.

Më lejoni ta prezantojë para jush një pako propozimesh politike të PDK-së në mbështetje të diasporës sonë:

–       Partia Demokratike do të inkuadrojë për herë të parë në listën e saj për deputetë 3 personalitete të fuqishme intelektuale, profesionale dhe në fushën e ndërmarrësisë që vijnë nga diaspora;

–       Partia Demokratike zotohet se hapin e parë që do ta bëjë në qeveri do të jetë rikthimi i Ministrisë së Diasporës, e cila u shua nga qeveria LVV-LDK, parti që u thirrën shumë në diasporën, dhe ministri do të jetë nga diaspora.

–       Partia Demokratike sapo të marrë në udhëheqje qeverinë e ardhshme, do ta ketë si një prej nismave të para parlamentare propozimin e saj për të krijuar ulëse të rezervuara për diasporën shqiptare në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç tanimë e kanë shumë vende në rajon dhe gjetiu;

–       Të lirohet diaspora nga obligimet e sigurimit kufitar jo vetëm për një vit por deri në anëtarësimin e Republikës se Kosovës në Këshillin e Byrove së Kartonit të Gjelbër. Si rrjedhojë, kartoni i gjelbër i cilitdo shtet në botë do të vlejë edhe në Republikën e Kosovës. 

Si kryeministër i ardhshëm, betohem se ky plan do të jetë qëllimi dhe vizioni i imi dhe i Partisë Demokratike të Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Ju uroj festat e fundvitit!

Ju uroj shëndet dhe kujdes në këtë kohë pandemie!