Haradinaj-Stublla udhëton për vizitë zyrtare në Turqi

Ministrja në detyrë e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëtuar drejt Turqisë për vizitë zyrtare.

Ajo ka thënë se këtë vizitë e bën me ftesë të homologut të saj turk, Mevlut Cavusoglu, transmeton Klan Kosova.

“Turqia si vend mik ka dhënë mbështetje të vazhdueshme dhe shumëdimensionale për Kosovën, në të gjitha etapat e rëndësishme të konsolidimit të saj.Si shtet i ri jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen, dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtarë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook.

“Në këtë drejtim do të kërkoj në vazhdimësi mbështetjen dhe mirëkuptimin e thellë të të gjithë miqve tanë me të cilët kemi ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe raporte të pathyeshme – e këtu Turqia zë vend të veçantë”.

“Gjatë kësaj vizite do të adresojmë të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin anti-COVID, si dhe çështjet e interesit të përbashkët rajonal dhe ndërkombëtarë”.