Osmani: Paqja u arrit por plagët e Kosovës s’mund të shërohen pa drejtësi

Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës ka kujtuar se askush nuk është dënuar për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës. Në këtë fundvit ajo thotë se qytetarët meritojnë drejtësi.

Nëpërmjet mesazhit të fundvitit për aleatët ndërkombëtar, ajo thotë se janë të përkushtuar për drejtësi.

“Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën po vazhdon ende. Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi’, thotë Osmani.

‘Ende sot, kemi mijëra gra që jetojmë me stigmën e padrejtë për shkak se janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim të neveritshëm”, thotë Osmani.


“Ende sot, kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e 1600 kosovarëve të zhdukur. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë drejtësi. Ata kanë të drejtë të dinë vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur”, thekson ajo.

“Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Krimet e tmerrshme që ndodhën në vendin tonë rezultuan në numrin më të lartë të fëmijëve viktima për kokë banori gjatë luftërave të Jugosllavisë”, tha Osmani.