Shkarkimi i Slaven Biliqit nga West Bromwich Albioni, javën e kaluar, e bëri atë trajnerin që më së herëti u largua gjatë një sezoni në Premier League. Në fakt, Biliqi e theu rekordin e Neil Warnockut, i cili në vitin 2014 ishte shkarkuar nga Cardiff City pas 18 ndeshjeve. Biliqi u shkarkua nga WBA-ja, ekip që u kthye këtë sezon në Premier League, pas vetëm 13 xhirove.
“Jam shumë i zhgënjyer që po largohem kaq shpejt nga ekipi, por kështu e ka puna e trajnerit”, pati thënë ndër të tjera Biliq, i cili u shkarkua më 16 dhjetor.
Mirëpo, trajneri kroat mund të mos jetë i vetmi në Premier League që u shkarkua këtë vit. Mediumet angleze kanë raportuar të premten se rrugën e Biliqit mund ta ndjekin edhe disa trajnerë të tjerë që mund të shkarkohen para përfundimit të këtij viti. Deri në fund të vitit, në Premier League, do të zhvillohen edhe dy xhiro, të cilat mund të jenë fatale për disa trajnerë, pasi ekipet që udhëhiqen prej tyre nuk kanë pasur start të mirë këtë edicion.
Mikel Arteta
I pari në listë është trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta. Suksesi i Artetas në FA Cup sezonin e kaluar dhe më pas fitorja ndaj Liverpoolit në Community Shield, paralajmëruan që periudha e trazuar për Arsenalin që e kishte kaluar nën urdhrat e Unai Emeryt, kishte marrë fund. Sidoqoftë, dueli i së shtunës që Arsenali e luan në shtëpi kundër Chelseat, mund të jetë vendimtar për Artetan, e ardhmja e të cilit është në dyshim pas më shumë se një viti në krye të “Topçinjve”. Me Artetan në krye, Arsenali ka përjetuar fillimin më të keq që nga sezoni 1974/75. Pas 14 ndeshjeve të luajtura – ku ka shënuar në total 12 gola – Arsenali zë vendin e 15-të në tabelë me 14 pikë. Kjo situatë ka shqetësuar drejtuesit e klubit, të cilët kanë futur klauzola në kontratat e futbollistëve për ulje të pagave nëse bien në një kategori më poshtë për herë të parë që nga viti 1912/13, kur skuadra njihej me emrin Woolwich Arsenal.
Steve Bruce
Steve Bruce di gjithçka për uljet dhe ngritjet e trajnerit në botën e futbollit, veçanërisht pas eliminimit zhgënjyes të Newcastle Unitedit në çerekfinale të Kupës së Ligës nga Brentfordi, ekip që garon në nivelin e dytë të futbollit anglez. Aktualisht, Newcastle Unitedi duket mjaft rehatshëm në pozitën e 12-të në tabelë, por gjërat për trajnerin Bruce mund të ndryshojnë pas ndeshjeve të dy xhirove të radhës. Ndeshja në udhëtim ndaj Manchester Cityt të shtunën dhe pastaj përplasja me Liverpoolin disa ditë më vonë, mund të jenë vendimtare për të ardhmen e trajnerit Bruce nën drejtimin e të cilit Newcastle nuk ka treguar qëndrueshmëri përgjatë këtij edicioni. Bruce, 59-vjeçar, besohet se gëzon mbështetjen e pronarit të klubit, Mike Ashley, por ka rritje të pakënaqësisë nga tifozët që aspak nuk janë të kënaqur si me rezultatet ashtu edhe me stilin e lojës së Newcastlet. Bruce në dy ndeshjet e radhës nuk do ta ketë ndihmën e lojtarëve me ndikim, Jamaal Lascelles dhe Allan Saint-Maximin, që janë të infektuar me koronavirus.
Chris Wilder
Biliqi mund të tundë kokën dhe të habitet që ishte trajneri i parë që u shkarkua këtë edicion në Premier League, kur krahason rezultatet e tij me ato të Chris Wilderit, trajnerit të Sheffield Unitedit. Bordi i Sheffieldit ka treguar mirënjohje dhe përmbajtje të admirueshme për të mbajtur besimin te trajneri 53-vjeçar, pavarësisht se mori vetëm dy pikë këtë sezon – fillimi më i keq në historinë e Premier Leagues.
Wilderin po e mbajnë “gjallë” te Sheffieldi rezultatet e edicionit të kaluar kur arriti të përfundojë në pozitën e tetë në tabelë. Wilderi të shtunën ka një test të vërtetë, kur Sheffieldi përballet me Evertonin, por durimi i bordit të klubit mund të soset nëse ai nuk arrin të sigurojë pikë në ndeshjen kundër Burnleyt, të martën e ardhshme. Humbja 3:2 ndaj Manchesterit dhe barazimi me Brightonin i kanë dhënë shpresë Wilderit për dy ndeshjet e ardhshme.
“Pres që ekipi të reagojë dhe të tregojë karakterin e duhur pasi ky është momenti i fundit për të bërë diçka këtë edicion. Të paktën ka një dritë në fund të tunelit pas dy ndeshjeve të fundit”, u shpreh Wilderi, ekipi i të cilit është i fundit në tabelë me vetëm dy pikë të mbledhura.