Pak javë pasi kishte filluar stinori pranveror i edicionit 2018/19, Drita si kampione në fuqi pati njoftuar për ndarjen me trajnerin Shpëtim Duro, pasi u eliminua nga Kupa dhe humbi gjasat për të mbrojtur titullin.
Drita nuk kërkoi trajner tjetër, ashtu si ndodh zakonisht. Postin e trajnerit për pjesën e mbetur të edicionit ia besoi Ardian Nuhiut, që ishte ndihmësi i parë i Duros.
Shumë mund të kenë menduar se Nuhiu është zgjedhje e përkohshme, deri në ardhjen e një trajneri tjetër. Edhe kjo ndodh zakonisht në futbollin kosovar. Por jo në këtë rast.
Për atë pjesë të stinorit Nuhiu e kaloi testin te klubi me të cilin më vonë, në edicionin 2019/2020, doli kampion i Kosovës.
Sukseset e Nuhiut te Drita vazhduan edhe në pjesën e parë të edicionit aktual, 2020/2021. Drita është kampione e vjeshtës, kurse Nuhiu të mërkurën pranoi çmimin e trajnerit më të mirë në Kosovë për vitin 2020.
Trajneri shkupjan thotë se të arriturat e tij janë falë angazhimit të lojtarëve dhe organizimit të mirë nga klubi.
“Suksesi im lidhet me angazhimin e lojtarëve dhe me profesionalizimin e klubit”, ka thënë Nuhiu të enjten për KOHËN.
Nuhiu te Drita erdhi me Shpëtim Duron, një trajner që e vlerëson shumë. Ai pranon se prej profesor Duros, siç e quan, ka mësuar shumë gjatë kohës sa ka punuar me të.
“Te Drita kam ardhur bashkë me profesor Duron dhe jemi pajuar që rrugëtimin e suksesit ta ndjekim bashkë. Profesori pati kontratë për një vit, kurse unë për dy. Në momentin që u eliminuam nga Kupa dhe me asnjë gjasë për titull, profesori si zotëri i vërtetë dha dorëheqjen, të cilën ia pranuan. Për mua ata gjashtë muaj që mbetën, ishin sikur test për të vendosur nëse klubi do të nisë kampionatin tjetër me mua apo jo”, ka treguar Nuhiu.
Ai thekson se Drita është klub i organizuar me mentalitet evropian dhe me profesionalizëm.
Nuhiu tregon se rrugëtimi i tij si trajner nisi në moshë goxha të re. Tregon se pas çdo stërvitjeje apo ndeshjeje si lojtar, ka marrë shënime nga trajnerët me të cilët ka punuar.
“Në moshë shumë të re kam nisur të mendoj punën e trajnerit. Nga çdo trajner që kam takuar apo me të cilin kam punuar, kam shkruar detajet. Pastaj u pajisa edhe me licencën e trajnerit dhe normal që kam besuar se do të vijnë edhe sukseset”, është shprehur Nuhiu.
Fjalëpaku nga Shkupi
Zejen e trajnerit Nuhiu e nisi në vitin 2016 si ndihmëstrajner te FC Shkupi, pozitë të cilin e mbajti për gjashtë muaj përpara se të promovohej në postin e trajnerit të parë. Nën drejtimin e tij, Shkupi përfundoi në pozitën e katërt në Ligën e Parë të Maqedonisë dhe siguroi daljen në Evropë.
“Puna ime profesionale nuk diskutohet, por rolin kryesor në suksese e kanë lojtarët e po ashtu edhe drejtuesit e klubit me një organizim dhe buxhet mjaftë të mirë. Gjithmonë kam dashur të punoj në një klub që ka synime të mëdha dhe që më qëndron prapa për të arritur suksese”, thotë Nuhiu që nuk ka shumë vjet si trajner, por ka goxha suksese. “Unë jam i ri si trajner, kam një vit e gjysmë që kam punuar në Maqedoni, tash vij në Kosovë dhe nuk diskutohet ecja para, por synimet janë të mos ndalem me kaq. Ne trajnerët jemi me valixhe në dorë, por aty ku do të jem do ta jap maksimumin dhe nuk do të ngelem borxh te askush për atë që kam në mendje. Unë do të kërkoj shumë më shumë nga futbollistët e po ashtu nga vetja”, ka deklaruar ai.
Në Kosovë, por edhe në Maqedoni të Veriut, ai njihet si person i qetë. Këtë e thotë edhe vetë. Jashtë futbollit kohën më të madhe ua kushton familjes dhe shoqërisë. Ai ngul këmbë se në fushë është goxha i zëshëm.
“Jam natyrë e butë dhe atë që dua t’ua përcjell futbollistëve kam dëshirë me pak fjalë. Por, në stërvitje nuk është se nuk jam i zëshëm në kuptimin e analizave të thella në detaje të vogla për kundërshtarin. Gjatë javës i punoj të gjitha këto me futbollistët, pa të cilët nuk mund t’i shprehim në fushë. Më meritorët janë ata, sepse i kryejnë obligimet, kurse mua më takon vetëm të mundohem të gjej dobësitë e ekipeve dhe të sjell analizat më në detaje”, ka deklaruar Nuhiu.
Ai ka bërë goxha karrierë edhe si lojtar. E nisi në vitin 2000 te Vardari, për ta mbyllur pas 16 vjetësh te Shkupi. Ka luajtur mesfushor ofensiv, por edhe sulmues. Gjatë kësaj periudhe, pos në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, ka luajtur edhe në atë të Shqipërisë, Iranit dhe Izraelit. Ka edhe tri paraqitje me Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.
Pos Vardarit e Shkupit, Nuhiu karrierë ka bërë edhe te Sloga Jugomagnat, Rabotniçki, Dinamo Tirana, Elbasani, Metalurgu, Steel Azin, Hapoel Acre, Shkëndija, 11 Oktomvri dhe Drita e Bogovinës.
Synimi në Evropë
Me Shkupin dhe Shkëndijën e Tetovës ka nga një titull, kurse dy i ka me Vardarin. Me Shkëndijën pati triumfuar në edicionin 2010/11, që ishte titulli i parë në historinë e këtij klubi shqiptar. Pranon se edhe si trajner synon të ketë sukseset që i kishte si lojtar dhe se do të punojë me përkushtim, pa u dorëzuar.
“Gjithmonë do të kërkojmë të rritemi dhe të vetëdijesohemi. Ne arritëm të dalim kampion, por duhet të mos kënaqemi me kaq. Do të kërkoj edhe këtë vit edhe në të ardhmen ku do të punoj, të kemi suksese. Pjesa që më ngelet merak është eliminimi nga Evropa, sepse kishim plane të mëdha. Por më vjen mirë që futbollistët shkruan histori duke kaluar Sileksin në Ligën e Evropës. Patëm përballë një kundërshtar të fortë, por shohim përpara dhe synimet janë të rritemi dhe të ecim para nga viti në vit”, ka deklaruar Nuhiu.
Nuhiu me Dritën në Ligën e Kampionëve, në gjysmëfinale të raundit parakualifikues, fitoi 2:1 ndaj skuadrës së Andorrës, Inter d’Escalades. Finalen e raundit parakualifikues, Drita e humbi me rezultat zyrtar për shkak të rasteve me COVID-19.
Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, Drita e Nuhiut e mposhti Sileksin maqedonas. Në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, skuadra gjilanase pësoi nga Legia e Varshavës. Kalimi në raundin e tretë ishte historik për futbollin e Kosovës.
Nuhiu insiston se synimet për vitet e tjera me Dritën i ka edhe më të mëdha. Ai thekson se futbolli i Kosovës është në rritje.
“Futbollin e Kosovës e shoh në ngritje, shikues të zjarrtë e po ashtu edhe në fusha është punuar goxha mirë. Në momentin që po punohet edhe në infrastrukturë, besoj shumë shpejt do të jetë niveli edhe më i lartë”, ka thënë Nuhiu.
Bashkë me Dritën e futbollin po rritet edhe ai si trajner. Një titull i ri do t’i vendoste në nivel tjetër si Dritën ashtu edhe Nuhiun.