Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se tashmë është krijuar një kulturë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe pranohen, pavarësisht se a i kanë konvenuar ose jo skenës politike në vend.
Në Rubikon me Adriatik Kelmendin ai u shpreh se të gjitha elementet kanë qenë që kjo Qeveri nuk do të ketë jetëgjatësi dhe se ka qenë shumë anemike, duke mos mundur t’i kalojë edhe ligjet ku u kërkua shumica e thjeshtë në Kuvend.
“E them pa modesti se pjesa dërmuese e ligjeve kanë kaluar vetëm atëherë kur e ka përkrahur PDK-ja”, deklaroi ai.
Hamza po ashtu tha se nominimi i Enver Hoxhajt për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhme, ndodhi dje dhe aty edhe është mbyllur.
“Është krijuar një traditë në PDK që kur në fushatën elektorale e ka mandatuar Thaçin kandidat për kryeministër dhe pastaj ka vazhduar që kush ka qenë kryetar i partisë, ka qenë edhe kandidat për kryeministër. Kjo ka qenë se thuaja e vetkuptueshme”.
“Nuk janë diskutuar emrat tjerë. Për herë të parë kjo temë është hapur dje dhe është mbyllur dje”.
“Nuk po them që PDK nuk ka figura të tjera, por është vullnet i plotë dhe e them se nuk kam parë rezerva në raport me kandidaturën e Hoxhajt”, u shpreh Hamza.