Deri në këto momente 37 persona të infektuar me koronavirus, janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Nga këta, 32 persona janë në gjendje stabile. Ndërkohë 5 të tjerë, janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe kanë nevojë për oksiogjenoterapi, njëri prej të cilëve është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv të Klinikës Infektive të QKUK-së, raporton Gazeta Express
Ndërkohë, mjekët e kësaj klinike janë në pritje të rezultateve edhe për 8 raste të tjera të cilat do të testohen.
“Në Klinikën Infektive të QKUK-së, sot më 30 mars 2020 janë duke u trajtuar 37 pacientë të prekur nga Covid-19.“• 32 të sëmurë janë në gjendje stabile; • 5 prej tyre kanë nevojë për oksigjenoterapi, njëri prej të cilëve është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv të Klinikës Infektive. Klinika është në pritje të rezultateve për 8 raste të tjera të cilat do të testohen”, thuhet në raportin e bërë nga doktorët e Infektives së QKUK-së për ditën e sotme.
Megjithëkëtë, sipas këtyre mjekëve, sa i përket stafit të Klinikës Infektive, përpos infermieres së infektuar me Covid19 dhe e cila është në gjendje të përmirësuar dhe e vetizoluar në shtëpi, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Por disa pjesëtarë të stafit janë testuar për Covid 19 dhe që të gjithë kanë rezultuar negativ.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë dje ka konfirmuar edhe tre raste të reja me koronavirusin e ri.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë”, thuhet në njoftim.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 94.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë dhe të ndjekin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, Vitia tha se qytetarët në këtë mënyrë ndihmojnë edhe personelin shëndetësor në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.