Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, ka thënë se Kosova ende ndodhet në fazën fillestare të përballjes me virusin Korona.
Sipas tij, në vend pritet që të ketë rritje të numrit të rasteve të prekura nga ky virus.
“Presim të rritet shkalla e infektimit, të arrijë kulmin dhe pastaj të bjerë. Ne jemi tek në hyrje, prandaj kërkojmë durim nga qytetarët, të mos dalin dhe të mos rrinë grumbull”, ka thënë Ramadani për Klan Kosova.
Në këtë intervistë, Ramadani ka thënë se janë 94 persona të konfirmuar me COVID-19, që nënkupton se nuk ka raste të reja deri në këtë moment.
“Ne po futemi në epidemi, në çdo fazë jemi në epidemi. E kemi pasë fazën përgatitore më 1 janar, më pas kemi nisur përgatitje kur disa vende botërore kanë shpallë gjendje emergjente. Jemi në etapën e tretë dhe po përpiqemi që ta mbajmë situatën nën kontroll”.
“Bashkëpunimi me qytetarë është mëse i domosdoshëm për mospërhapjen e virusit. Duke mos dalë nuk do të kemi epidemi. Të gjitha elementit që i përkasin një epidemie i kemi prit, nga resurset humane, çështjet e zbatimit në terren. Ka disa grupe që ende mbajnë tubime, syneti dhe dasma jo vetëm e mbingarkon situatën epidemiologjike në Kosovë”.
“Masat e ndërmarra janë bërë para kohe, shumë shtete janë të vonuara. Ne kemi ndërmarrë me kohë – prej ndërprerjes së shkollave. Situata epidemiologjike po mbahet nën kontroll”.