Drita del e para në stinorin e vështirë dhe me orar të ngjeshur

Në ditën kur skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll mësuan orarin e ndeshjeve të edicionit të ri, kampionia Drita, siguroi kalimin në raundin e tretë kualifikues në Ligën e Evropës. Kalimi në raundin e tretë u vlerësua historik për futbollin kosovar.

Shkaku i angazhimit në garat evropiane, Dritës iu shtyn ndeshjet e xhiros së parë, të dytë dhe të tretë.

Ndeshjen e mbetur të xhiros së tretë, Drita e luajti vetëm të dielën. Skuadra gjilanase barazoi 1:1 ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Dhe Drita e mbyll stinorin vjeshtor në pozitën e parë.

Titullin e kampiones së vjeshtës, Dritës ia siguroi rivali i qytetit, Gjilani, që mposhti Ballkanin me rezultatin 4:0, të shtunën. Ishte kjo një tjetër ndeshje e mbetur. Me ndeshjen e së dielës ka përfunduar stinori vjeshtor, kurse Drita renditet e para me 41 pikë, tri më shumë se Ballkani.

Për trajnerin e Dritës, Ardian Nuhiu, rruga drejt pozitës së parë në stinorin vjeshtor ka qenë e vështirë.

“Në këtë periudhë pandemie kemi zhvilluar 33 ndeshje dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Kemi luajtur gati se çdo të tretën ditë dhe jam shumë i kënaqur me këta djelmosha, të cilët na kanë bërë krenarë në secilën ndeshje. Natyrisht se jam i kënaqur me pozitën në të cilën jemi. Do të mundohemi ta mbajmë grupin që kemi tani dhe të shohim nëse do të kemi nevojë për t’u përforcuar. Por, fokusi ynë ka qenë kampionati”, ka thënë trajneri shkupjan.

Dy ndeshjet e tjera të shtyra, të xhiros së parë dhe të dytë, Drita i fitoi. Në18 ndeshje regjistroi plot 12 fitore, derisa pesë herë u nda baras dhe pati vetëm një humbje. Humbjen e vetme Drita e ka nga konkurrenti kryesor, Ballkani, që ka qenë lider për kohë të gjatë.

Trajneri i futbollit, Sami Sermaxhaj, thotë se paraqitja e mirë e Dritës në fazën kualifikuese, fillimisht të Ligës së Kampionëve e më pas në Ligën e Evropës, e bën më të fortë për kampionat.

“E kam thënë se nëse Drita arrin ta ruajë formën që e ka treguar në ndeshjet ndërkombëtare, me lehtësi do ta dominojë kampionatin e Kosovës. Mendoj që dallimin e ka bërë hierarkia që kanë ndërtuar në klub, duke filluar nga udhëheqja që së pari ka vendosur një standard të qëndrueshëm financiar, i ka dhënë besimin e plotë stafit të trajnerëve, ka bërë transferime cilësore duke ruajtur njëkohësisht edhe boshtin e ekipit. Por, ecuria e mirë në kampionat është ndikuar nga forma sportive e demonstruar gjatë garës ndërkombëtare”, ka thënë Sermaxhaj.

Dështimi i Ballkanit

Tutje, Sermaxhaj ka shtuar se Drita e ka pasur lojën më të rrjedhshme se çdo ekip tjetër i Superligës.

“Është ekipi që ka rikthyer rezultatin e lojës më së shumti dhe në xhirot e fundit e ka shfrytëzuar joqëndrueshmërinë e Ballkanit, për t’u shpallur kampione vjeshte me plot meritë. Mund të konkludojmë që në suksesin e Dritës kanë luajtur rol të madh gjithë anëtarët e klubit, kryesia, stafi teknik dhe normalisht më meritorët në këtë sukses janë lojtarët”, është shprehur Sermaxhaj.

Një prej futbollistëve më të mirë te Drita, Kastriot Rexha, thotë se përvoja e lojtarëve ka qenë vendimtare në suksesin e klubit.

“Drita është bërë skuadër që pretendon kreun e tabelës. Por, duhet theksuar se edhe Ballkani ka treguar lojëra mjaft të mira, mirëpo ndoshta përvoja jonë ka bërë që të jemi një pozitë më lart. Pjesa vjeshtore ka qenë mjaft interesante dhe mendoj se edhe pjesa tjetër e mbetur do të jetë interesante sikurse kjo e tanishmja”, ka thënë Rexha.

Sulmuesi shtatlartë me shtatë golat e shënuar është realizatori më i mirë i Dritën në pjesën e parë të edicionit 2020/2021.

Stabiliteti financiar, pjesë e rëndësishme e suksesit

Të vështirë rrugëtimin e ka cilësuar edhe drejtori sportiv, Valon Zymberi.

“Sigurisht që ka qenë një sezon vjeshtor i pazakontë. Kjo për faktin që ndeshjet janë luajtur çdo tri ditë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ka qenë e vështirë, sidomos për ne që kemi pasur ndeshje ndërkombëtare dhe nuk jemi ndalur fare. Kjo ka qenë e vështirë për organizimin e ndeshjeve e lëre më për lojtarët që kanë luajtur, por gjithsesi e konsiderojmë një sezon pozitiv”, ka deklaruar Zymberi.

Në fakt, futbollistët e qyteteve të tjera të Kosovës, që janë pjesë e Dritës, janë detyruar shpeshherë të qëndrojnë larg familjeve të tyre. Kanë qëndruar në Gjilan për të ruajtur energjinë, edhe pas ndeshjes, kur zakonisht lojtarët kalojnë ditët në shtëpitë e tyre.

Drita është bërë një prej klubeve më të organizuara në vend, si në aspektin sportiv ashtu edhe financiar. Te skuadra gjilanase presin goxha shumë edhe në stinorin pranveror.

Zymberi ka theksuar se pjesë e suksesit të Dritës është edhe stabiliteti financiar.

“Mendoj që kemi qenë të kujdesshëm dhe kemi ruajtur ekipin kampion, gjithashtu në afatin kalimtar kemi sjellë freski me disa përforcime. Çdo detaj e kemi trajtuar me kujdes të veçantë dhe rezultatet nuk kanë munguar. Stabiliteti financiar nuk është një risi te klubi Drita, kjo është pjesa më e rëndësishme e suksesit tonë, por gjithsesi edhe menaxhimi nga ana e kryesisë së tashme është konstante dhe shumë profesionale”, ka thënë Zymberi.

I ngjeshur do të jetë edhe stinori pranveror. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ditë më parë, njoftoi se stinori pranveror do të fillojë më 13 shkurt dhe do të përfundojë më 30 maj.

Image