Bizneset kërkojnë ndihmën e shtetit për tre vjet

Bizneset kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës t’u dalë në ndihmë edhe për tre vjet në procesin e rimëkëmbjes ekonomike, pas shkundjes që pësuan nga masat e mbylljes si pasojë e pandemisë së koronavirusit më 2020.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një deklaratë për “EkonomiaOnline”, ka thënë se presin një hyrje rreth 200 milionë euro në ekonomi.

Ai ka komentuar edhe masat e fundit për rimëkëmbje, duke vënë në pah pikën që ua mundëson qytetarëve të tërheqin 10 për qind të mjeteve të tyre në Fondin Pensional, duke kërkuar që ato mjete të tërhequra të shpenzohen vetëm brenda vendit.

“Edhe masat në raport me Qeverinë edhe puna e bizneseve në këtë kohën e mbetur të vitit të mundësojë që ato mjete të shpenzohen në Kosovë. Por ne presim një hyrje rreth 200 milionë euro në ekonomi. Rimëkëmbja nuk lidhet vetëm me vitin 2021 duhet edhe veprime shtesë edhe në tri vitet e ardhshme atëherë mund ta ketë një ndikim që të lehtësohet jeta e bizneseve dhe të ruhen vendet e punës”, ka deklaruar Rukiqi.

Sipas tij, shkalla e lartë e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëshit ka treguar se qytetarët janë në krizë.

“Gjithashtu ne e shohim që ka shumë nevoja bazike që qytetarët pritet t’i tërheqin nga 100 deri në 500 euro dhe kjo tregon që mirëqenia në vend është e cenuar jo vetëm nga kjo krizë, por në përgjithësi nga këto zhvillimet e fundit që nuk kanë prodhuar zhvillim pozitiv në vend dhe kjo tregon që duhet të ndërrohet qasja në raport me qeverisjen dhe të krijohet një qeverisje që garanton zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët e vendit”, ka thënë tutje ai.

Deri më 16 dhjetor, për tërheqjen e 10 për qind të mjeteve në Trust kanë aplikuar gati 350 mijë persona. Ata që në Trust kanë më pak se 10 mijë euro, do të rimbursohen pas një kohe nga shteti.