Në 94 ka arritur numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Tri rastet e fundit janë konfirmuar pak më parë, dy nga Prishtina dhe një nga komuna e Malishevës.
Por nga ky numër i të prekurve me COVID-19, 36 prej tyre janë duke u mjekuar në Klinikën Infektive në Qendrën Universitare Spitalore të Kosovës.
E kontaktuar nga Indeksonline, Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Ajazi-Berisha tha se deri në këto momente pesë nga pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive janë në gjendje më të rëndë, saktësisht me oksigjenotarapi.
“Për momentin janë 36 raste në Klinikën Infektive. Deri në këto momente pesë janë në gjendje më të rënduar me oksigjenoterapi”, shtoi ajo.
Po ashtu doktoresha Ajazi-Berisha, shtoi se prej pacientëve të shtrirë në këtë klinikë ka gjasa që ndonjëri prej tyre të shërohet, por që gjatë ditëve në vazhdim do të merren strishot për t’u ditur kjo gjë.
Që nga data 13 mars në Kosovë janë konfirmuar edhe rastet e para të infektuar me koronavirus, gjë kjo e cila ndikoi që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë një sërë masash në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij virusi.
Ditë më parë u vendos edhe ndalesa e qarkullimit të qytetarëve nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit, në mënyrë që të ketë sa më pak qarkullim dhe grumbullim të njerëzve në një vend.
Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë rekomanduar mbajtjen e higjienës, mos-kontaktin e shpeshtë me njerëz, qëndrimin në distancë si dhe që të mos qëndrojnë jo më shumë se dy persona gjatë ecjeve apo diçka të ngjashme.
Situata pandemike e shkaktuar nga COVID-19 ka shkaktuar numër të madh të vdekjeve në botë, teksa në Kosovë deri tani vetëm një person ka humbur jetën si pasojë e infektimit me këtë virus, ku gjithashtu është edhe një person i shëruar, ku pas dy testimeve doli negativ.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia u deklarua shpresëdhënës se ditëve në vazhdim mund të ketë edhe persona të tjerë të shëruar nga ky virus, duke mos harruar masat mbrojtëse kundër këtij virusi.