Vendimet e Qeverisë shpërfillen në kufi – përplasje në koalicion rreth masave

Ndonëse Gjermania, Italia e Austria janë në listën e ECDC-së të vendeve me rrezik të lartë për COVID-19, pika kufitare në Merdar eAaeroporti i Prishtinës u vërshuan me qytetarë që vinin prej tyre.

Në nëntor, Qeveria e Kosovës mori vendim që të gjithë personat që vijnë në Kosovë nga vendet në këtë listë ta kenë testin negativ PCR, ose të vetizolohen.

Por, testi nuk u kërkohej në pikën kufitare në Merdar, ani pse disa qytetarë e kishin me vete atë.

Në një përgjigje të shkurtër nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se vendimi i Qeverisë është duke u zbatuar dhe se personat që shkojnë në izolim kontrollohen nga Policia e Kosovës.

“Po, është duke u zbatuar vendimi i QRK-së. Listat e personave që shkojnë në vetizolim punohen për çdo ditë dhe kontrollin e tyre e bën PK-ja”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, nga Policia kanë thënë se ky institucion ka marrë të gjitha masat, derisa në lidhje me numrin e personave në izolim kanë thënë se duhet t’u referohemi autoriteteve kompetente.

“Policia e Kosovës, të gjitha masat e ndërmarra, përfshirë shqiptimin e fletëparaqitjeve/tiketave ndaj pandemisë COVID-19, i bën publike ne baza ditore, andaj të njëjtëve mund t’u referoheni, ndërsa për çështje të tjera, ju lutemi t’i referoheni autoritetit kompetent”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës të shtunën pothuajse gjatë gjithë kohës ishte i mbushur me qytetarë e me familjarë që i prisnin të afërmit e tyre.

E ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve, ka kërkuar që të hiqet kufizimi i lëvizjes për t’u mundësuar të gjithë qytetarëve që të lëvizin lirshëm gjatë festave.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Avdullah Hotiti, i cili edhe ka paralajmëruar masa shtesë për fundvit.

Hoti ka bërë të ditur se shumë shpejt do të propozohen masa shtesë, për shkak të trendit në rritje të rasteve të reja në Evropë e rajon, gjë që bën që edhe në Kosovë të pritet ngritje e numrit të të infektuarve.