Zyrtarja për informim në Administratën Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyçi Sefa, tregoi edhe njëherë se ka rezultuar që ka rënie të të hyrave me 39 milionë euro më pak sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ajo ka treguar gjithashtu se gjatë pandemisë COVID-19, shumë biznese nuk i deklaruan punëtorët e tyre, kësisoj, ata edhe nuk përfituan nga Trusti.
“Në fillim të këtij viti, deri 18 mars kemi pasur performancë të mirë por pandemia, ka goditur sektorin e ekonomisë. Si rrjedhojë dha edhe indikacionet në zhvillimin e aktiviteteve në ATK”, tha ajo në Express Intervistën në KTV.
Ajo shtoi se edhe stafi i reduktuar ka qenë faktor që kanë ndikuar në aktivitete.
“Reflektim ka në inkasimin e të hyrave. Trajektorja e shënimit të performancës është kthyer teposhtë prej marsit”, tha ajo.
Trendi i të hyrave nuk është ndaluar, tha Bytyçi-Sefa, dhe puna në ATK po vazhdon.
“Një rikthim i normalitetit në ATK është vërejtur nga muaji qershor”, shtoi ajo.
Sektori më i prekur nga pandemia është sektori i argëtimit.
“Hoteleria, pjesa e estradës që është zingjiri i aktiviteteve si dasmat etj. Gastronomia e të ngjashme”, tha ajo.
38.3 për qind, është rënia e të hyrave në gastronomi, tha ajo derisa shtoi se rënia në rekreacion është 54.9.
“Kemi rritje të stoqeve të borxheve. Kemi borxhlinj në secilin sektor”, tha tutje ajo.
Kur ka folur për Trustin dhe se shumë punëtorë janë ankuar në ATK se bizneset nuk ua kanë paguar kontributin, ajo tha se kanë marrë rreth 200 ankesa.
“Deri tash kemi mbi 200 ankesa për mospagim të kontributeve. Janë ankesa ose kanë pasur probleme në gjetjen e emrit të tyre ose nuk janë verifikuar fare. ATK-ja nga të dhënat që ka, ka parë një pjesë e konsiderueshme e bizneseve kanë bërë neglizhencë. Ka biznese që punëtorët i kanë mbajtur të padeklaruar”, ka shtuar ajo.