Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për situatën me COVID-19 në Kosovë.
Zemaj ka thënë se nga java e ardhshme do të ketë masa të reja në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se masat do të jenë në nivel vendi dhe jo për secilën komunë veç e veç.
“Javën e ardhshme, masat që do të merren janë në nivel vendi dhe jo për secilën komunë veç e veç. Për këtë do të njoftohen edhe mediat”, ka thënë Zemaj në konferencë.
Zemaj tha se nuk pritet të ketë lirim të masave.
“Lirim të masave nuk do të ketë, do të shohim diku do të ketë shtrëngim që të mos ketë grumbullime të njerëzve”, ka thënë Zemaj.
Zemaj në këtë konferencë për media ka folur edhe për vaksinën COVID-19, e cila sipas tij do t’i sigurohet për të gjithë qytetarët.
“Ne ju sigurojmë ju se askush s’do të mbetet pa u vaksinuar, sepse ne e kemi obligim që popullatës t’i sigurojmë vaksina. Kemi opsione të mjaftueshme që t’i blejmë ato vaksinë”, ka thënë në fund Zemaj.