Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dardania” në Prishtinë, çmoi lartë rolin dhe angazhimin e të gjithë mësimdhënësve në përmbylljen me sukses të gjysmë vjetorit të parë. Ndërsa, nxënësit i përgëzoi për përshtatjen me metodologjinë e mësimxënies kundrejt situatës së krijuar.
“Ju falënderoj që, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe ndërprerjeve që kanë ndodhur si pasojë e pandemisë, në masë të konsiderueshme keni arritur që të realizoni plan programin, në mënyrë që nxënësit të mos mbeten prapa”, tha kryeministri Hoti.
Ai nënvizoi se ky ishte një gjysmë vjetor dhe përgjithësisht një vit i vështirë për secilin pa përjashtim. Ndërkohë që shprehu besimin që prej 18 janarit 2021, mësimi të fillohet në kushte më të mira.
“Statistikat e fundit na tregojnë se numri i arsimtarëve të prekur nga Covid-19, në raport me mjekët apo policët, është në përqindje më të lartë, që nënkupton se edhe ju jeni në vijën e parë të frontit në luftë me këtë armik të padukshëm, njëlloj sikurse profesionistët e tjerë”, nënvizoi Kryeministri Hoti.
Gjatë vizitës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dardania” në Prishtinë, Kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Ramë Likaj. Me këtë rast ai vlerësoi edhe punën e Ministrisë dhe angazhimin në adaptimin e metodologjisë mësimore karshi kushteve që janë krijuar pasojë e pandemisë Covid-19.