Përmes një shkrese dërguar gjykatës, mbrojtësit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar ndryshimin e afatit për paraqitjen e mocioneve paraprake.
Ata kanë kërkuar që gjykatësi paraprak të vendosë që çdo mocion paraprak sipas Rregullës 97 (2) të paraqitet deri më 10 Shkurt 2021.
Avokatët e katërt të akuzuarve kanë kërkuar së bashku ndryshimin e afatit standard të tridhjetë ditëve të vendosur nga Rregulla 97 (2) e Rregullave të Procedura dhe Provat (“RPE”).
Kjo sipas tyre, duke pasur parasysh vëllimin e konsiderueshëm të zbulimit të provave , çështjet komplekse ligjore që do të adresohen dhe rrethanat e veçanta të rastit, ekziston një shkak i mirë për zgjatjen e këtij afati.
Thuhet se në vendimin kornizë për zbulimin e provave dhe çështjet që lidhet me ato të datës 23 nëntor 2020, gjykatësi paraprak ka dhënë afat datën 11 dhjetor 2020 që ZPS të kompletojë zbulimin e materialit, rregulla (102) (1) (a). Sipas shkresës, më 11 dhjetor 2020, mbrojtja mori zbulimin e 1309 dokumenteve potencialisht shfajësuese dhe me 12 dhjetor u njoftuar për 1760 dokumente mbështetëse të aktakuzës.
Sipas tyre, konsultimi i plotë me të akuzuarin në çështjen në fjalë është domosdoshmërisht më sfidues si rezultat i masave të vendosura për të adresuar pandeminë COVID-19 në vazhdim.
“Vizitat ligjore me të ndaluarit, aktualisht, janë të kufizuara në dy vizitorë në të njëjtën kohë, përfshirë një përkthyes, dhe kryhen përmes një lidhjeje telefonike dhe një dritareje ndarëse. Përveç kësaj, avokatët kanë kufizime të udhëtimit duke i bërë të vështira vizitat në Hagë. Marrja e udhëzimeve me lidhje video – alternativa – është një alternativë e provuar, por e dobët. Sigurimi i materialit për të paraburgosurit, qoftë në formë letre apo digjiitale, kufizohet nga rregullat që bëhen gjithnjë e më të rrepta nga COVID-19”, thuhet në këtë shkresë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Afati prej 30 ditësh thuhet se në këtë rast përfshin edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, konkretisht pushimin gjyqësor dimëror, i cili zgjat midis 21 dhjetorit 2020 dhe 1 Janar 2021, dhe përfshin tre pushime zyrtare në gjykatë.
Sipas tyre, paraqitja e mocioneve paraprake është një hap i rëndësishëm procedural në procedura dhe e rëndësisë themelore është aftësia e mbrojtjes për të paraqitur kërkesa të cilat në mënyrë gjithëpërfshirëse shqyrtojë çështje qendrore, duke mos vonuar padrejtësisht procedurat.
“Përgatitja paraprake e mocioneve në këtë rast thuhet se do të kërkojnë një rishikim të gjerë të praktikës së gjykatave dhe tribunaleve të tjera, të cilat do të marrin më shumë kohë”, thuhet në shkresë.
Tutje, thuhet se më domethënëse është vëllimi i materialit që do të rishikohet dhe diskutohet me të akuzuarin në përgatitjen e çfarëdo mocioni paraprak.
“E thënë thjesht, 1760 dokumentet në mbështetje të aktakuzës do të kërkojnë kohë për t’u lexuar, analizuar dhe marrë udhëzimet”, thuhet në shkresë.
Tutje, thuhet se shkaku i mirë ekziston për një ndryshim të kufirit kohor në bazën e këtij aplikacioni, i cili është depozituar mjaftueshëm paraprakisht, lejon që gjyqtari i procedurës paraprake “të vendosë mbi aplikimin para skadimit të datës afati kohor përkatës ”, në përputhje me Rregullën 76.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.