Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka bërë të ditur se persona të panjohur, i kanë shpërthyer gomat veturës së tij.
Ai hedh dyshimet se gomat e veturës iu shpërthyen me thikë, ndërsa për këtë rast thotë se ka lajmëruar edhe Policinë e Kosovës.
”Sot rreth ores 11:00 kam vërejtur se katër gomat e vetures time, brenda garazhes në banesën ku banoj, janë shpërthyer, si rrjedhojë e shpuarjes me thikë.
Rasti është lajmëruar në polici, e cila ka reaguar me shpejtësi dhe e ka kryer punën e saj me profesionalizëm. Me këtë rast e falënderoj Policinë e Kosovës dhe kërkoj që rasti të trajtohet dhe të zbardhet në tërësi”.
Tutje në reagimin e tij, ai shton se nuk ka pasur me askënd ndonjë problem personal, ndaj thotë se ata që e bënë qëllimisht këtë veprim të ulët, s’do ta ndalojnë përfaqësimin e tij për qytetarët në Kuvendin e Kosovës.
”Unë, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem personal me askënd. Prandaj, nëse ky veprim i ultë është tentim që unë të ndalem nga puna ime e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvend të Republikës dhe nga angazhimi i çdo ditshëm për fuqizimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, e kanë gabim, sepse nuk ka forcë që me ndal nga ky përkushtim.
Duke marr parasysh që rasti është tani në procedurë hetimore, kërkoj mirëkuptimin e mediave që përtej këtij njoftimi, nuk mund të jap deklaratë tjetër, lidhur me këtë rast”.