Topgolashënuesi i Superligës së Kosovës në futboll, Mirlind Daku, ka thënë se nesër në Prishtinë udhëtojnë për fitore.
Ballkani, së bashku me Prishtinën, janë në mesin e ekipeve që luftojnë direkt për titull.
Klubi nga Suhareka deri më tani ka zhvilluar një edicion të shkëlqyer, duke mbledhur 38 pikë në 16 ndeshje të zhvilluara, një më pak se lideri Drita. Derisa Prishtina në vendin e tretë ka 28 pikë.
E për këtë ndër më meritorët është pikërisht Mirlind Daku, i cili është futbollisti me formën më të mirë në ligë me 21 gola të shënuara.
“Atmosfera te Ballkani dihet si gjithmonë me muzikë dhe plot pozitivitet. Kjo ndeshje është një ndeshje e radhës, normalisht me një kundërshtar direkt që e kemi për titull dhe do të udhëtojmë për fitore. Por, jemi të përgatitur maksimalisht”, ka thënë Daku për KOHË-n.
Ai pret ndeshje interesante në “Fadil Vokrri”.
“Dihet që Prishtina ka në mesin e tyre lojtarë shumë cilësorë dhe do të jetë përballje tejet interesante sepse edhe tereni i mirë na mundëson të shpalosim më të mirën”, ka thënë Daku.
Prishtina e pret Ballkanin nesër nga ora 13:00, për të zhvilluar derbin e kësaj jave në Superligë.