ASHI dhe Trusti thonë se ueb faqet e qeverisë janë të sigurta

Eksperti i sigurisë kibernetike Hekuran Doli, më herët ka reaguar lidhur me sigurinë e ueb faqeve qeveritare.

Doli ka thënë se është shumë kritike siguria e tyre, pasi janë transferuar në një palë të tretë.

“Woooww, certifikata *rks-gov.net paska fluturu ne serverë të Azures. A keni ide sa kritike është siguria e certifikatës *rks-gov.net? A e keni idenë çfarë përgjegjësie keni marrë mbi vete duke e transferu ‘private key’ në infrastrukturën e një pale të tretë”, ka thënë ai.

Por, në një deklaratë të përbashkët, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), ka sqaruar rreth çështjes së sigurisë së portalit për aplikim online nga Trusti, të ngritura në publik.

“E konsiderojmë te nevojshëm të reagojmë përkitazi me publikimet dhe hedhjen e dyshimeve mbi sigurinë e portalit të Trustit, për aplikim përmes internetit për tërheqje të 10% të kursimeve të qytetarëve. Ju informojmë se pas vështirësive të paraqitura gjatë fazës së lansimit të portalit të Trustit (trusti10.org) me qëllim të tejkalimit të këtyre problemeve është gjetur një zgjidhje alternative në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit – ASHI”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ekspertët e ASHI-së dhe të Trustit kanë realizuar një zgjidhje teknike duke u bazuar në praktikat më të mira të sigurisë, ku tregojnë se është aplikuar certifikata e sigurisë së domainit *.rks-gov.net, e cila thonë se nuk i rrezikon shërbimet ekzistuese të domainit .rks-gov.net, e as sigurinë e certifikatës.

“Certifikata e sigurisë i është dhënë në shfrytëzim Trustit, i cili po ashtu është Institucion i Republikës së Kosovës, dhe nuk bëhet fjalë për palë të treta sikurse, që pretendohet në disa mediume elektronike”, thuhet tutje.

“Ju sigurojmë se kjo praktikë e aplikuar është shumë profesionale dhe nuk rrezikon sigurinë e të dhënave të qytetarëve dhe se deri me tani kemi mbledhur më shumë se 200 mijë aplikacione edhe përmes linkut të ofruar nga ASHI, që është https://trusti.rks-gov.net”, thuhet në fund.