“S’ka logjikë të ulem e të bisedoj me përjashtuesit”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e pyetur nëse do të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, vetëm disa muaj pasi ky subjekt e nominoi për kandidate për kryeministre e më pas e përjashtoi nga strukturat e kryesisë së partisë. Në një intervistë për televizionin publik, Osmani ka ftuar krerët e LDK-së, dikur bashkëpartiakë, të jenë pjesë e listave në zgjedhjet e ardhshme.
Ish-nënkryetarja e LDK-së ka thënë se është duke punuar në formimin e listës së re me të cilën planifikon të dalë në zgjedhjet e ardhshme. Ajo ka thënë do të garojë në një listë që themel do ta ketë “integritetin e politikanëve”.
Ajo ka thumbuar krerët e LDK-së të cilët në zgjedhjet e fundit nuk kishin qenë pjesë e listave zgjedhore. I ka ftuar të dalin në zgjedhje e mos të “struken”.
“Jemi në progres, po punojmë, shpresojmë që të jemi fuqishëm të përfaqësuar në parlamentin e ri duke pas parasysh se çka ka sot nevojë Kosova, janë pikërisht njerëzit me integritet. Kurdo që janë zgjedhjet e radhës presim që të garojmë, të matemi e shpresoj që edhe të tjerët që po na bëjnë thirrje të dalim të matemi, të mos frikësohen e të struken, të dalin në lista e të hynë në to e të shohim çfarë besimi do të marrin. Mezi po presim që të dalim dhe të marrim besimin qytetar. S’kemi arsye të frikësohemi, përkundrazi, dalim ballëhapur”, ka thënë Osmani.
Osmani ka shtuar se nuk do të bashkëpunojë me partitë “që kanë kontribuar në kapjen e shtetit, apo duke i mbajtur në pushtet ata që e kanë kapur shteti”.
Kryeparlamentarja ka thënë se publikimi i listës së re zgjedhore do të bëhet shumë shpejt.
Ka thënë se janë në diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm.