Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” në një fjalim emocional para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se nënat dhe baballarët e të pagjeturve nuk duan t’i mbyllin sytë para se të zbardhet fati i personave të zhdukur.
Kumnova në seancën e veçantë me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, tha se Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të ndërmerr sa më parë iniciativë për padi kundër Serbisë për krimin dhe gjenocidin mbi shqiptarët, ndryshe nuk do të dilet borxh të rënëve për liri.
“Ndaljani turrin Serbisë, që të mos ndjehet e fituar në raport me gjithë historinë e saj vrastare. Ky regjim serb rrëmbeu nga shtëpitë e tyre mijëra qytetarë, vrau e zhduku mijëra qytetarë për t’i bartur më vonë në lokacione të ndryshme në Serbi, për të fshehur krimin”, tha ajo.
“Ne familjarët e pikëlluar me humbjen e familjarëve nuk ndaluam asnjëherë së vepruari në kërkim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Rrallë ndonjëherë, e mos të them fare nuk gjetëm përkrahjen nga institucionet vendore e ndërkombëtare, të cilat do të duhej vet të ndërmerrnin iniciativë për zbardhjen e krimeve dhe kthimin e trupave”, u shpreh ajo, raporton Telegrafi.
“Edhe fëmijët tanë ishin shqiptarë e shtetas të Kosovës, të etshëm për liri e atdhe, po ja që Serbia i këputi si lule dhe ua vyshki jetën, duke i futur në varreza masive. Sot do të duhej të ishin fëmijët tanë këtu, jo prindërit….”, tha Kumnova.
Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit, ajo tha “Pyetni nënat, baballarët, të cilët mbi dy dekada jetojnë në ankth, pritje, ethe, pikëllim e shpresë në mos po buron ndonjë lajm për më të dashurit tanë. Në vend se të akuzojmë njëri-tjetrit duhet t’i ktheheni realitetit sepse posti i deputetit është detyrë fisnike, e jo profitabile”.
“Duhet të shikoheni në pasqyrën e popullit të përvuajtur”, tha ajo.
Kumnova kritikoi edhe Qeverinë e Isa Mustafës dhe ministrin e atëhershëm të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi që i ka vënë në pozitë tejet të vështirë, duke i detyruar të zgjedhin në mes të pensionit të pleqërisë dhe ndihmës shtetërore që jepej në emër të bijve dhe bijave të zhdukur.