Pas gati dy javësh, Kosova më në fund ka hyrë në një ditë me më pak se 13 mijë raste aktive me koronavirus.
Shtimi i rasteve të të shëruarve dhe një rënie e rasteve të reja me COVID-19 ka bërë që në vend të ketë rënie të shifrave të rasteve aktive. Ka ndikuar dukshëm edhe rritja e rasteve fatale si pasojë e virusit. Nga 25 nëntori e deri sot janë regjistruar 172 vdekje.
Në raportin e publikuar të hënën nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, është bërë e ditur se në vend janë 12 mijë e 774 raste aktive. Të hënën u regjistruan 926 të shëruar, shifra më e lartë ndonjëherë, ndërsa ishin 519 raste të reja. 14 persona humbën betejën me virusin në 24 orët e fundit, sipas IKSHPK-së.
Me rritjen e rasteve të të shëruarve në Kosovë është shënuar rënie e rasteve aktive. Që nga 25 nëntori në vend kanë qenë vazhdimisht më shumë se 13 mijë raste aktive.
Në nivel vendi deri tash janë regjistruar 43 mijë e 324 raste pozitive nga 154 mijë testime të kryera. 1120 persona kanë vdekur, ndërsa janë shëruar 29 mijë e 430.
Në përqindje, nga rastet totale kanë vdekur 2.5 për qind e të prekurve me virus. Janë shëruar gati 68 për qind, ndërsa raste aktive janë pak më shumë se 29 për qind e rasteve totale.