Mayweatheri do të rikthehet në ring, do të ndeshet me yllin e Youtubet, Logan Paul

Floyd Mayweather Jr. do të rikthehet në ring në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Ish-kampioni i botës në pesë kategori të ndryshme në boksin profesionist, do të përballet me yllin e Youtubet, Paul Logan, në një meç ekzibicional në shkurt të vitit 2021, raporton BBC.

Amerikani 43-vjeçar e ka përfunduar karrierën në boksin profesionist me 50 fitore në po aq meçe.

Ai së fundi luftoi në vitin 2017, duke e mposhtur yllin e UFC-së, Conor McGregor, në meçin më fitimprurës në histori të boksit.

Logan Paul 25-vjeçar, ka vetëm një meç në profesionizëm, duke pësuar nga Youtuberi, KSI në nëntor të vitit 2019.

Ka pasur spekulime për një marrëveshje për meçin mes Mayweatherit e Paulit për disa muaj tash. Paul ka më tepër se 22 milionë abonues në faqen e tij në YouTube, ndërsa e ka ftuar disa herë Mayweatherin për një përballje.

Javën e kaluar, vëllai i vogël i Loganit, Jake, po ashtu një i njohur në YouTube, boksoi në parameç të duelit mes Mike Tysonit e Roy Jones Jr në Los Angeles, duke e nokautuar ish-basketbollistin e NBA-së, Nate Robinson.

Meçi mes Mayweather Jr dhe Logan Paulit, që do të mbahet më 20 shkurt pritet të ketë fitime të mëdha në televizion me pagesë, ndërsa është mundësia e radhës për Mayweatherin që të përballet me një luftëtarë jashtë emrave të njohur në boksin profesionist.

Në dhjetor të vitit 2018, atij iu deshën vetëm 140 sekonda për të mposhtur kikboksierin japonez Tenshin Nasukawa në një meç ekzibicional, ku raportohet se fitoi nëntë milionë dollarë.