Llapi e mund Besën në duelin e skuadrave të fundit në Superligë

Llapi e ka mposhtur lehtësisht 2:0 Besën në një duel të drejtpërdrejt të dy skuadrave të fundit në renditjen tabelore të Superligës të dielën në Podujevë.

Valmir Veliu dhe Engjëll Hoti shënuan nga një herë herët në pjesën e parë, për t’ia siguruar Llapin vetëm fitoren e katër deri tani këtë sezon në një luftë të vështirë për mbijetesë, raporton Gazeta Express.

Veliu e kaloi skuadrën nga Podujeva në epërsi pas vetëm tre minutave lojë, kur shënoi gol të bukur.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Hoti e dyfishoi epërsinë për Llapin.

Kjo ishte e gjitha çka ofroi ky duel të dielën paradite. 

Llapi tani grumbullon 14 pikë në vendin e parafundit, katër më pak se Drenica, e cila gjendet në zonën e qëndrimit në elitë.

Besa ngel e fundit me vetëm gjashtë pikë dhe pothuajse pa asnjë shpresë për të mbijetuar në Superligë, në të cilën u promovua këtë sezon. 

Në javën e ardhshme, Llapi përballet me Arbërinë në udhëtim, ndërsa Besa e pret Feronikelin në Pejë.