Në Shqipëri në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 2 persona duke e çuar në 10 numrin e viktimave nga koronavirusi.
Po ashtu, përgjatë kësaj kohe janë testuar 79 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19.
Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar për situatën e krijuar.
“Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë dy pacientë në spitalin Infektiv, një 67-vjeçar nga Tirana dhe një 72-vjeçare nga Vlora”, ka thënë ajo.
Deri në këto momente janë testuar 1325 raste të dyshuara dhe prej tyre 197 rastejanë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.
Bino ka informuar se në shërbimin infektiv aktualisht janë 74 të shtruar dhe prej tyre 4 janë në terapi intensive. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
“Deri tani kemi 33 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë”, tha ajo.
Në anën tjetër, bëhet e ditur se strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
“Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 71 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë”, thuhet në njoftimin e Policisë.