V.K (emër i njohur për redaksinë), është pezulluar nga puna nga punëdhënësi i tij menjëherë pas marrjes së masave nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Qeveria e Kosovës këtë masë e ka marrë më 13 mars, menjëherë pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.
Ai thotë se ka punuar në një restorant gjatë tre vjetëve të fundit dhe pezullimi nga puna do t’ia vështirëson edhe më shumë situatën në të cilën gjendet.
“Kam punuar në një restorant dhe në ditën që qeveria ka marrë vendim të mbyllë restorantet për shkak të virusit, neve na kanë lëshuar në shtëpi dhe na kanë thënë që nuk keni nevojë të vini në punë derisa të ju thërrasin. Na kanë paguar për ato ditë të muajit sa kemi punuar dhe më nuk na kanë thirr. Unë jam mbajtës i familjes”, thotë ai.
Pezullimin apo largimin nga puna pas gjendjes së krijuar nga COVID-19 e kanë theksuar edhe përfaqësuesit e punëtorëve të sektorit privat.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se disa nga biznese në sektorin privat kanë filluar me pezullimin nga puna të shumë punëtorëve si pasojë e mbylljes së aktivitetit ekonomik, apo edhe reduktimit të orëve të punës.
“Tash jam në terren dhe kemi informacione që disa kompani kanë filluar të lëshojnë vendime për largim nga puna dhe kjo për neve është shqetësuese. Në disa raste kemi arritur të intervenojmë dhe t’i kthejmë punëtorët, por në disa kompani nuk po arrijmë. Këto kompani po e keqpërdorin situatën dhe shteti duhet të intervenojë”, thotë Azemi.
Ekspertë në Kosovë patën theksuar se në mungesë të aktivitetit ekonomik disa biznese edhe do të bëjnë largimin apo pezullimin nga puna të punëtorëve. Për të shmangur problemet e mëdha që do të vinë nga kjo situatë e krijuar nga COVID-19 edhe në aspektin ekonomik, në vazhdimësi po kërkohet ndihma e Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar bizneset.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha se kërkon nga qeveria që në pakot financiare në mbulimin e obligimeve operacionale të bizneseve të përfshihet edhe pagesa e pagave.
“Situata aktuale në Kosovë ka krijuar rrethanat ë reja dhe këto rrethana duhet të menaxhohen. Qeveria pavarësisht sektorëve, të gjitha sektorët tjerë që janë mbyllur, përveç sektorit ushqimor, barantoreve, dhe disa biznese të tjera duhet t’i paguajë pagat. Të marrë modalitete të ndryshme të botës. Nëse në disa vende të botës deri në 70 për qind i paguajnë pagat e punëtorëve edhe shteti jonë duhet ta sigurojë këtë”, thotë ai.
Duke e parë me shqetësim situatën ekonomike të krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kanë këkruar nga qeveria në detyrë alokimin e 300 milionë euro për fazën emergjente.
Po ashtu, qeveria në detyrë, kanë kërkuar shoqatat ekonomike të menjëherë përpilimin e një programi të rimëkëmbjes për fazën e pas përfundimit të pandemisë COVID-19, i cili do të përfshinte mjete monetare nga buxheti i vendit, por edhe nga organizatat financiare ndërkombëtare. Organizatat nënshkruese të kësaj deklarate kërkojnë edhe nga Kuvendi i Kosovës që të mbështesë masat e prezantuara nga qeveria në detyrë, përfshirë edhe rishikimin e nevojshëm të buxhetit të vitit 2020.
Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, tashmë në detyrë pas mocionit të mosbesimit, ka duke përpiluar një plan emergjent të ndërhyrjeve për ndërmarrjet dhe amvisëritë më të goditura nga situata me koronavirusin.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se në pakon emergjente fiskale janë të janë paraparë edhe masa për mbulimin e pagave në disa sektorë.
“Për ato kompani që kanë shënuar rënie të veprimtarisë së tyre si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të mbajnë stafin e tyre në shtëpi, qeveria ka vendosur që të asistojë me këto tri ndërhyrje: Mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove”, ka njoftuar ministri në detyrë, Besnik Bislimi.
Sipas nenit 61 të Ligjit të punës, me vendim të organit të autorizuar shtetëror ose organit të autorizuar të punëdhënësit, për shkak të pasigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë, i punësuari ka të drejtën e mungesës me arsye nga puna.
Gjatë mungesës së përkohshme në punë për shkak të pasigurisë në vendin e punës, të punësuarit i takon e drejta e kompensimit të pagës të cilën do ta kishte realizuar sikur të kishte punuar, por jo më gjatë se dyzetepesë (45) ditë në vitin kalendarik. /Rel/