Katër amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, kryeministri Avdullah Hoti i ka cilësuar si pasurim të projektligjit.
Në shpjegimin para deputetëve në seancën ku po diskutohet për këtë projektligj, Hoti ka thënë se me amendamentet e PDK-së shtohet kostoja për buxhetin. Megjithatë, sipas tij, ky është momenti kyç për t’u dalë në ndihmë bizneseve.
“Dua t’i falënderoj publikisht deputetët e PDK-së. Besoj se këto katër amendamente e kanë pasuruar pakon. Do të jetë kosto më e madhe për buxhetin, por është momenti i vetëm kur shteti duhet t’u dalë në ndihmë bizneseve”, ka thënë ai.
Amendamenti më i përfolur i propozuar nga PDK-ja është rimbursimi i 10 përqindëshit që qytetarët mund të tërheqin nga Trusti pensional. Do të rimbursohen vetëm ata që kanë deri në 10 mijë euro në Trust.
Pikat tjera të propozuara nga PDK-ja janë: Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë.