Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka ndryshuar orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve. Sipas tij, kufizimi i orarit duhet të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00.
Vitia ka thënë se propozimin kryeministrit ia ka bërë në koordinim edhe me institucionet e tjera. “Pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, posa i propozoj Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik”, tha ai.
“Ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve. Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00”, ka shkruar Vitia.
Sipas tij, bashkëpunimi, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate. Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja. Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore”, ka shkruar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.