Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Maqedoninë e Veriut që sot edhe zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s, njofton Klan Kosova.
”Sot, fqinji ynë, Maqedonia e Veriut u bë pjesëtari i tridhjetë i NATO-s, aleancës ushtarake që ofron siguri e mbrojtje për demokracitë. Për Kosovën kjo është ngjarje e lumtur, sepse sjell më shumë siguri në fqinjësi, dhe e mban larg mundësinë e ndërhyrjeve nga fuqi të tjera. Është ngjarje pozitive përgjithësisht edhe për shqiptarët, pasi Maqedonia e Veriut është një shtet ku jetojnë shumë bashkëkombës tanë”, ka thënë Kurti, nëpërmjet një komunikate.
“Si kryeministër në detyrë i Kosovës i uroj institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë Veriore për këtë hap përpara, ndërkohë që shpreh bindjen se nuk do të vonojë shumë edhe hyrja e Kosovës në NATO, me të cilën kemi një marrëdhënie strategjike të shkëlqyer”, është shprehur Kurti