18 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri, sipas raportimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 2201 testime nga të cilat 645 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 403 persona. Aktualisht në tri Spitalet COVID po trajtohen 363 pacientë, nga ta 25 pacientë janë në terapi intensive, derisa tetë pacientë janë të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu ka bërë apel qytetarëve që gjatë ditëve të festave të nëntorit të shmangin grumbullimet masive me më shumë se 10 vetë, si dhe të shmangin kontaktet jashtë rrethit familjar për të kufizuar në maksimum përhapjen e infeksionit.
“Patriot është kush respekton rregullat për ruajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskës në çdo ambient jashtë shtëpisë dhe kujdesin për higjenën”, thuhet në apelin e tyre, shkruan A2 CNN.