Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të Javës së Biznesit Kosovar 2020, sot ka vizituar verarinë ‘’Agro Kosova Holding ’’ në Suharekë.
Me këtë rast kryeministri Hoti përgëzoi pronarin Aziz Tafa, për këtë investim, për ndërtimin e një biznesi model.
‘’Prodhimet e Verarisë Suhareka 70-80 % e prodhimit del jashtë Kosovës me shënimin “Made in Kosova” kjo është e rëndësishme’’, theksoi Kryeministri Hoti.
Ai nënvizoi ndihmën që Qeveria i ka dhënë bizneseve për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia Covid -19. Me këtë rast tha se deri më tani janë ndarë 270 milionë euro, përfshirë këtu edhe 60 milionë euro të shpërndara më herët. Prej tyre 24 milionë euro në bujqësi, duke dyfishuar subvencionimet për hektarë të vreshtave nga një mijë, në dy mijë euro dhe subvencionimin për litër të verës nga 4 cent në 8 cent, si dhe për të gjitha produktet bujqësore pa përjashtim.
Kryeministri Hoti ka nënvizuar se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për bizneset edhe për vitin 2021, fillimisht një shumën prej 182 milionë euro e cila pritet të rritet edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.
Kryeministri Hoti ka paralajmëruar se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të miratohet në Kuvend javën që vjen.
‘’Do të përmbyllet kjo çështje, do të definohen edhe mjetet që do t’i marrin qytetarët nga kursimet e tyre dhe një listë e ndryshimeve ligjore përfshirë mundësinë për t’i shtyrë obligimet tatimore, për t’i heq ndëshkimet e nevojshme për të rishikuar TVSH-në në lëndë të parë të prodhimit vendor e cila ka mbetur një çështje që duhet të adresohet’’ theksoi ai.
Me këtë rast Kryeministrit Hoti ka falënderuar Aleancën Kosovare të Biznesit për organizimin e Javës së Biznesit Kosovar, aktivitet tradicional tash e 18 vjet.