Hoti konfirmon letrën e Lajçakut në të cilën kërkohet respektimi i lëvizjes së lirë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konfirmoi se ka pranuar një letër nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, në të cilën atij i kërkohet që Kosova të respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të arritur në Bruksel.

Letra e Lajçakut vjen disa ditë pasi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se ka ndaluar hyrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kosova është pro lëvizjes së lirë dhe po punojmë në kuadër të dialogut që të përmbyllin gjitha çështjet e hapura me Serbinë. Unë kam pranuar letrën nga Lajçak dhe jam në komunikim të rregullt me të, por çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë”, ka thënë kryeministri Hoti, gjatë një paraqitjeje para gazetarëve në Prishtinë.

I pyetur në lidhje me deklaratën e 25 nëntorit të ministres së Jashtme, Haradinaj-Stublla se, presidentit serb dhe zyrtarëve tjerë nuk do t’iu lejohet hyrja në Kosovë derisa të kërkojnë falje “për gjenocidin”, kryeministri Hoti tha se qëndrimet zyrtare të qeverisë i paraqet vetëm ai, pas konsultimit me ministrat.

“Qëndrimet zyrtare të Qeverisë i përfaqësoj unë, jo tjetër kush. Sigurisht unë i koordinoj çështjet me ministrat përkatës. Ministrat nganjëherë mund të kenë qëndrime të caktuara, por ato në fund koordinohen”, tha Hoti.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 25 nëntor se autoritetet në Prishtinë e ndaluan një vizitë të tij në Kosovë, në mënyrë që “të bënin një ngjarje të madhe prej kësaj”.

“Ata donin të dërgonin Ministren e Punëve të Jashtme, e cila donte ta bënte një shfaqje politike në komunën e Rashkës. Ne u thamë atyre se, kjo ishte absolutisht e papërshtatshme për momentin. Meqenëse na dërguan një letër, ne u dërguam atyre një letër. Nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha Vuçiq.

Gurorja “Kizhevak“ në Komunën e Rashkës, në afërsi të kufirit me Kosovën, është lokacioni i pestë në Serbi, në të cilin janë gjetur mbetjet mortore, siç dyshohet, të civilëve shqiptarë të vrarë gatë luftës në Kosovë, në vitin 1999. Ende nuk dihet se sa është numri i trupave që janë gjetur në këtë vend, më 16 nëntor.

Kosova dhe Serbia zyrtarisht janë të përfshira në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, porse një takim në nivel liderësh, i parashikuar të mbahet në fund të shtatorit, është shtyrë vazhdimisht, nën arsyetimin e “bllokimit nga pandemia”.