Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një shkëmbim të hapur pikëpamjesh me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në një takim të mbajtur sot në Zyrën e Presidentit të Kosovës.
Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett kanë shprehur respektin më të lartë për përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për ta luftuar virusin COVID-19.
Thaçi theksoi se seanca e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur të mërkurën më 25 mars, që në agjendë kishte Mocionin e Mosbesimit për Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar edhe njëherë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që procedurat e mëtutjeshme për formimin e një qeverie të re duhen bazuar plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur rolin vital të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces.
Presidenti Thaçi përsëriti që Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet.